Pronësia Intelektuale dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme

Vendosja e ideve në treg

Artikulli është shkruar nga Kujtesa Nezaj, Avokate, dhe së pari është publikuar në Revistën Autori # VIII, Dhjetor 2021, faqe 41-47

Konkurrueshmëria midis ndërmarrjeve sot matet më shumë përmes vlerësimit të pronës intelektuale (tutje PI) apo aseteve të paprekshme sesa pronës së prekshme. Një ndërmarrje mund të ketë në pronësi toka, asete si maqineri, kompjuterë apo asete të tjera të cilat padyshim i japin vlerë ndërmarrjes së caktuar. Mirëpo, në raport me konsumatorin dhe konkurentët e tjerë në treg ajo që e vendos një ndërmarrje më lartë është padyshim produkti apo shërbimi që e ofron dhe risitë apo avancimet që i sjell me këto produkte/shërbime. Çdo ndërmarrje lufton që të sjell tek konsumatori produkte apo shërbime më të mira sesa ndërmarrjet konkurruese. Për realizim të këtij qëllimi, ndërmarrjet përdorin teknika inovative, metoda inovative të shitjes, paketime që janë më atraktive për konsumatorin, dhe të tjera të ngjajshme të cilat që të gjitha konsiderohen si PI e një ndërmarrje dhe padyshim ndikojnë në rritjen e vlerës së një biznesi.

Me qëllim të nënvizimit të këtij roli kyç që të drejtat e pronësisë intelektuale luajnë në krijimin e ndërmarrjeve më të forta dhe më konkurruese, Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (tutje WIPO) këtë vit ka shënuar ditën botërore të pronësisë intelektuale me temën: Pronësia Intelektuale dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme: Vendosja e ideve në treg. Tema e këtij viti ka qenë shumë relevante dhe e rëndësishme për Kosovën meqë numrin më të madh të ndërmarrjeve e përbëjnë pikërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat kanë potencial të jashtëzakonshëm për të zhvilluar produkte dhe shërbime inovative të cilat mund të jenë objekt i mbrojtjes me ndonjë prej të drejtave të pronësisë intelektuale. Prandaj, ky artikull ka për qëllim që ndërmarrësve të rinj të i’u ofrojë disa këshilla se çfarë duhet të dijnë apo çfarë duhet të kenë parasysh nëse dëshirojnë që të kenë një portfolio të sukseshme të të drejtave të pronësisë intelektuale.

1. Koha është thelbësore

Shpesh e ndëgjojmë ose lexojmë se një ndërmarrës duhet të jetë i njoftuar me sistemin e PI-së dhe të ndërmarrë veprime për identifikimin dhe mbrojtjen e të drejtave të PI-së prej themelimit të biznesit. Në fakt, parimi i njohur se “koha është thelbësore” vlen jashtëzakonisht shumë kur kemi të bëjme me mbrojtjen dhe zbatimin e sukseshëm të të drejtave nga PI. Një vonesë sado e vogël në ndërmarrjen e një veprimi mund të vendos biznesin e caktuar në një disavantazh në raport me ndërmarrjet konkurruese.

Një ndërmarrës duhet të jetë i njoftuar dhe të ndërmarrë veprime si për zotërimin ashtu edhe për mbrojtjen e një të drejte të PI-së para themelimit të ndërmarrjes dhe atë gjatë draftimit të planit të biznesit. Kjo për arsye se ndërmarrësit duhet të sigurohen se biznesi do të ketë në pronësi të gjithë PI të krijuar përgjatë aktivitetit të biznesit dhe atë menjëherë posa ajo PI të jetë krijuar. Kjo mund të bëhet, për shembull, përmes përfshirjes së klauzolave të PI në kontratat midis themeluesve të kompanisë, në kontratat e shërbimeve me profesionistë të pavarur shërbimet e të cilëve biznesi synon të përdorë, si dhe në kontratat e punës. Të gjitha këto veprime duhet të ndërmerren pa vonesë dhe para se të krijohet ndonjë vepër akoma.

Parimi “koha është thelbësore” vlen gjithashtu edhe për regjistrimin apo mbrojtjen në kohë të një të drejte të caktuar të PI në vendin e caktuar. Sikurse do të shpjegohet në detaje më poshtë, në shumicën e vendeve, një e drejtë e caktuar e PI regjistrohet sipas parimit “i pari që e paraqet”. Kjo nënkupton që pavarësisht nga përdorimi i një të drejte të veçantë të PI, nëse kompania nuk regjistron me kohë të drejtën e saj tek autoritetet kompetente, ajo nuk gëzon të drejta. Prandaj, është shumë e rëndësishme që biznesi të ketë një strategji të qartë për PI dhe të marrë të gjitha veprimet e parashikuara nga ligji sa më shpejt të jetë e mundur.

2. Të drejtat e PI janë territoriale

Të gjitha të drejtat e PI-së janë të lidhura me territor të caktuar. Kjo nënkupton se fakti që një biznes apo ndërmarrje regjistron për shembull një markë tregtare apo një patentë në Kosovë, nuk do të thotë që do të gëzojë të njejta të drejta edhe në një shtet tjetër. Regjistrimi në Kosovë vlen vetëm për territorin e Kosovës dhe anasjelltas, regjistrimi në një vend tjetër vlen vetëm për atë vend. Për të gëzuar mbrojtje në territoret që janë në interes për biznesin, i njejti duhet të regjistrojë të drejtën e caktuar me organet kompetente të atij shteti (përjashtimisht të drejtën e autorit).

Çfarëdo e drejte e PI-së e regjistruar në disa vende përbën investim dhe padyshim se është shumë e vlefshme për biznesin. Mirëpo, çdo regjistrim në një vend apo tjetër sigurisht që mbart në vete edhe një kosto të caktuar. Prandaj, është shumë me rëndësi që një biznes të përcaktohet vetëm për territoret në të cilat mbrojtja e një të drejte të PI-së ka vlerë më të madhe për biznesin. Një ndërmarrje ka në pronësi një portfolio të sukseshme të PI-së nëse e gjithë prona intelektuale është identifikuar dhe mbrojtur në kohën dhe vendin e duhur. Për shembull, është me rëndësi që një biznes të ketë regjistrimin e markës së produktit në vendet ku bën eksportimin e atij produkti apo vendet ku mendon të eksportojë atë produkt në të ardhmen e afërt, apo në vendet ku mendon të gjenerojë profit nga eksploatimi i markës tregtare apo një të drejte tjetër të PI-së përmes licensimit. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që plani për zgjerimin e biznesit në territoret e tjera të bëhet paralelisht me mbrojtjen e të drejtave të PI-së në ato territore.

3. Ekzistojnë të drejta të ndryshme të PI

Për të krijuar një strategji të sukseshme të PI, ndërmarrësit duhet të kenë njohuri, të paktën bazike, për llojet e të drejtave të PI që janë në dispozicion, qëllimin e secilës prej tyre dhe mënyrën se si funksionojnë dhe ndërveprojnë këto të drejta njëra me tjetrën. Në mungesë të këtij vetëdijësimi, një ndërmarrës do ta këtë të vështirë të identifikojë se çfarë prone intelektuale tashmë ka krijuar ndërmarrja e caktuar apo çfarë prone ka mundësi të krijojë. Për shembull, nëse një kompani ka krijuar një softuer kompjuterik për lehtësimin e një pune të caktuar, atëherë mund të kenë të drejtën e autorit në atë softuer kompjuterik. Ndërsa, nëse biznesi prodhon një produkt të caktuar apo ofron një shërbim nën një shenjë identifikuese, ateherë mund të ketë në pronësi një markë tregtare në emrin apo logon e produktit apo edhe dizajn industrial në pjesën estetike të paketimit të produktit dhe ndoshta edhe të drejtë autoriale në logon origjinale të përdorur. Rrejdhimisht, identifikimi i saktë i aseteve intelektuale para së gjithash është proces që kërkon njohuri të caktuar të fushës. Ekzistojnë disa lloje të drejtave të PI. Shumica e bizneseve përdorin këto katër – patenta, marka tregtare, dizajni industrial dhe të drejtat e autorit. Për të gjitha të drejtat e PI të përmbledhura në vijim ekzistojnë ligje të veçanta të cilat rregullojnë kushtet dhe procedurën për mbrojtjen dhe zbatimin e këyre të drejtave.

Patenta për shembull është e drejtë ekskluzive e dhënë në lidhje me një shpikje, e cila mund të jetë një produkt ose një proces. Ajo i jep pronarit të patentës të drejtën për të ndaluar të tjerët të krijojnë produktin ose përdorin procesin përkatës që është objekt i mbrojtjes me patentë. Jo çdo shpikje mund të patentohet. Ekzistojnë disa kritere të natyrës materiale dhe formale që duhet të plotësohen në mënyrë që një shpikje të mund të mbrohet me patentë. Me kritere materiale nënkuptojmë që patenta do të jepet me kusht që shpikja të jetë e natyrës teknike; përbëjë risi (mbarëbotërore); përmbajë hap shpikës; jetë e aplikueshme në industri, si dhe të mos jetë në grupin e shpikjeve të përjashtuara. Ndërsa, me kushtet formale nënkuptohet paraqitja e aplikimit për njohje të patentës pranë organeve kompetente të shtetit, në rastin e Kosovës, pranë Agjencisë për Pronësi Industriale (tutje API). Pra, e drejta në patentë fitohet me regjistrim pranë organit kompetent në vendin e caktuar.

Nuk është e mundur të merret një patentë mbarëbotërore, por ka mekanizma që lehtësojnë procesin e aplikimit ose regjistrimit në më shumë se një vend, siç është sistemi i Traktatit të Bashkëpunimit të Patentave (PCT) dhe sistemi rajonal i Konventës së Patentave Evropiane (EPC). Sidoqoftë, edhe në raste të tilla, patentat zbatohen veçmas në secilin shtet të caktuar. Meqenëse një patentë mund të jepet vetëm për shpikjet që paraqesin risi, kompanitë këshillohen të mos e zbulojnë ose publikojnë shpikjen para se të paraqesin një kërkesë për patentë sepse kjo mund të kufizojë mundësinë e mbrojtjes së patentës për atë shpikje.

Grupin tjetër të të drejtave të PI dhe atë me shumë rëndësi për bizneset e përbëjnë markat tregtare. Me markë tregtare nënkuptojmë çdo shenjë, e në veçanti fjalët, përfshirë emrat personal, skicimet, shkronjat apo/dhe numrat, forma e mallrave apo paketimet e tyre, ngjyrat apo kombinimi i gjithë këtyre, e cila shërben si identifikues i origjinës komerciale të një produkti apo shërbimi të caktuar. Pra, funksioni kryesor i një marke tregtare është identifikimi i origjinës përmes diferencimit apo dallimit të produkteve apo shërbimeve të një ndërmarrje nga produktet apo shërbimet e një ndërmarrje tjetër.

Sikurse tek patentat, edhe në rastin e markave tregtare duhet të plotësohen disa kushte të natyrës materiale dhe formale në mënyrë që ndërmarrja e caktuar të mund të i realizojë të drejtat nga marka tregtare. Për shembull, si markë tregtare mund të regjistrohen vetëm shenjat që janë të dallueshme apo veçanta dhe që nënkupton se shenjat të cilat mund të jenë përshkruese apo të përgjithshme në industrinë e caktuar nuk mund të shërbejnë si marka tregtare. Pastaj, shenjat duhet të mos përmbajnë përmbajtje të paautorizuar, të mos jenë mashtruese, në rast se shenja përbëhet nga forma e produktit apo paketimi i produktit, të njejtat nuk duhet të jenë funksionale etj. Përveç këtyre pengesave të cilat janë të natyrës absolute meqë qëllimi i tyre është mbrojtja e interesit të përgjithshëm, ekzistojnë edhe disa pengesa relative, qëllimi i të cilave është mbrojtja e interesit të ndërmarrjeve të cilat kanë të drejtat e tyre më të hershme. Rikujtojmë këshillën e parë: koha është thelbësore. Kështu, si markë tregtare në parim nuk do të mund të regjistrohet as shenja e cila është identike ose e ngjashme me markën tregtare të aplikuar apo regjistruar më herët nga një ndërmarrje tjetër. Qëllimi i kësaj pengese është pikërisht shmangia e hutisë apo konfuzionit tek konsumatori në lidhje me origjinën komerciale të një produkti apo shërbimi të caktuar. Mirëpo, një shenjë nuk do regjistrohet si markë tregtare për shkak se është e njejtë apo e ngjajshme me një markë të mëhershme vetëm nëse ndërmarrja që ka në pronësi markën e mëhershme do të paraqet kundërshtimin brenda afatit të paraparë. Prandaj, kompanitë këshillohen që të njihen me këto procedura dhe të marrin masa proaktive për të identifikuar dhe vepruar në kohën e duhur kundër markave tregtare potencialisht shkelëse.

Të drejtat e markës tregtare janë të natyrës negative, që nënkupton se për të përdorur një shenjë në tregti nuk është i obligueshëm regjistrimi. Megjithatë, pa një vendim të regjistrimit, ndërmarrja e cila është duke e përdorur shenjën e caktuar si markë tregtare nuk do të mund të i ndalojë palët e treta që të përdorin shenjën e njejtë apo të ngjashme me të tyren. Rrjedhimisht, të drejtat nga markat tregtare mund të i gëzojnë vetëm bartësit e markave të regjistruara tregtare. Gjithashtu, për një ndërmarrje është shumë me rëndësi që të bëhet dallimi midis emrit të biznesit apo emrit tregtar dhe markës tregtare. Regjistrimi i emrit të biznesit nuk nënkupton regjistrim të markës tregtare. Për më tepër, një biznes mund të ketë vetëm një emër biznesi i cili shërben për identifikimin e atij biznesi; ndërsa, mund të ketë në pronësi një numër të markave tregtare varësisht prej veprimtarisë së biznesit dhe zgjerimit të tij, e gjithë kjo me qëllim të dallimit të produkteve apo shërbimeve të ndërmarrjes. Prandaj, mbani parasysh se duke regjistruar një biznes, nuk keni regjistruar automatikisht një markë tregtare dhe, rrjedhimisht, nuk mund t'i ndaloni të tjerët të përdorin të njëjtën markë tregtare ose të ngjashme.

Dizajnet industrial gjithashtu i përkasin drejtave të PI. Qëllimi i tyre është mbrojtja e karakteristikave estetike apo zbukuruese të produktit. Për dallim nga patentat, të cilat mbrojnë karakteristikat teknike inovative të një produkti, dizajni industrial mbron pamjen e jashtme të produktit. Me të drejtën e dizajnit industrial mbrohet dizajni deri në atë shkallë në të cilën është i ri dhe ka karakter individual. Pra, risia dhe karakteri individual përbëjnë kriteret materiale të cilat duhet të përmbushen. Sikurse edhe të drejtat e tjera të pronësisë industriale, dizajni industrial duhet të regjistrohet me organin kompetent në vendin e caktuar në mënyrë që bartësi të gëzojë të drejtat që dalin nga ai ligj. Bartësi i dizajnit industrial ka të drejtë të ndalojë të gjitha palët e treta nga përdorimi i dizajnit identik apo ndonjë dizajn tjetër i cili nuk krijon një përshtypje të ndryshme tek shfrytëzuesi i informuar.

Kategori tjetër e të drejtave të PI gjithashtu e rëndësishme për bizneset është padyshim e drejta e autorit dhe të drejtat e përfarërta. Me të drejtën e autorit mbrohet shprehja apo paraqitja e një ideje të caktuar. Pra, nuk mbrohet vetë ideja, por mënyra se si është shprehur apo prezentuar ajo ide. Për dallim nga të drejtat e pronësisë industriale sikurse janë patentat, markat tregtare apo dizajnet industriale të cilat fitohen në momentin e regjistrimit, e drejta e autorit mbi një vepër të caktuar fitohet me vetë krijimin e veprës. Pra, nuk është i nevojshëm regjistrimi i krijimtarisë me ndonjë organ administrativ. Megjithatë, sikurse edhe tek të drejtat e tjera, edhe në rastin e të drejtave të autorit duhet të plotësohen kushtet e përcaktuara me ligj në mënyrë që një vepër të konsiderohet vepër e mbrojtur. Për të u kualifikuar për mbrojtje, lënda duhet të jetë vepër në lëmin e literaturës, shkencës apo artit, si dhe së dyti, lënda duhet të jetë origjinale në kuptimin që është krijim intelektual I autorit. Meqë nuk kërkohet regjistrimi, kriteri i origjinalitetit supozohet derisa nuk provohet e kundërta në procedurë gjyqësore.

E drejta e autorit është e aplikueshme në vepra të ndryshme, të cilat në disa raste për shkak të natyrës së tyre mund të konsiderohen vepra jo të natyrës komerciale apo thënë ndryshe, nuk pritet që një biznes të ketë të bëjë me ato vepra. Mirëpo, sikurse mund të vërehet edhe nga tabela më poshtë, të drejtat e autorit ndërthuren jashtëzakonisht shumë me veprimet e një biznesi saqë një neglizhencë e vogël në këtë drejtim mund të i kushtojë biznesit jashtëzakonisht shumë. E drejta e autorit ngërthen në vete disa të drejta siç janë e drejta e riprodhimit, shpërndarjes, qiradhënjes, përpunimit, adaptimit etj, të cilat mund të administrohen dhe transferohen bashkarisht apo ndaras nga njëra tjetra. Pra, autori mund të i’a bart të drejtën e riprodhimit të veprës së caktuar ndërmarrjes A, ndërsa të drejtën e adaptimit ndërmarrjes B. Prandaj, ndërmarrja duhet të sigurohet që në marrëveshjet me autorët e veprave të I cekin në mënyrë specifike se cilat të drejta ekonomike saktësisht autori ia kalon në pronësi ndërmarrjës.

Lloji i PI Çfarë mund të mbrohet? Qëllimi
Markë tregtare Shenjat identifikuese siç janë emri i biznesit, logot, emrat e produkteve, format apo paketimet e produkteve, ngjyrat e paketimeve dhe kombinimi i të gjithave Identifikon produktet/sherbimet e ndërmarrjes dhe dallon ato prej produktete/sherbimeve të ndërmarrjeve tjera.
Patentë Produktet apo proceset e reja. Mbron karakteristikat teknike inovative të një produkti.
Dizajn industrial Paketimet e produkteve apo forma e produktit Mbron pamjen e jashtme/vizuele apo estetike të produktit.
E drejtë e autorit Përmbajtja kreative, materialet e shkruara, fotografitë, videot, logot, ueb faqet, bazat e të dhënave, softuerët kompjuterik etj. Mbron shprehjen apo paraqitjen origjinale të idesë.

4. Përfshirja e klauzolave të PI-së në kontrata

Të gjitha objektet e pronësisë intelektuale/industriale krijohen nga personat fizik. Për shembull, fotografia shkrepet nga fotografisti, si i vetëpunësuar apo punonjës në një ndërmarrje të caktuar. Pastaj, shpikja e një produkti të ri bëhet nga shpikësi. Llogoja apo dizajni i një produkti të caktuar e cila mund të shërbejë si markë tregtare apo edhe dizajn industrial dizajnohet nga dizajnuesi si person fizik. Prandaj, në parim pronësia i’u takon atyre personave që e kanë krijuar atë vepër apo kanë shpikur ndonjë risi e të ngjajshme përveç nëse është përcaktuar ndryshe me kontratë ose me ligj.

Në mungesë të marrëveshjes, çështja e përcaktimit të pronësisë jo gjithmonë është aq e thjeshtë sa mund të duket. Nëse marrim si shembull markat tregtare figurative të cilat në vete përmbajnë elemente artistike origjinale. Një shenjë e tillë mundet padyshim të mbrohet si markë tregtare, mirëpo edhe me të drejtën e autorit. Në rast të përdorimit të paautorizuar të kësaj shenje nga një ndërmarrje tjetër, pretendimet për shkeljen e të drejtës së markës tregtare apo të drejtës së autorit mund të marrin kahje të ndryshme përsa i përket çështjes së provimit të pronësisë dhe rrjedhimisht, përdorimit të paautorizuar. Si ndodh kjo?

Ndërmarrja apo biznesi që pretendon shkeljen, pra paditësi, duhet para së gjithash të provojë që ka të drejtë të iniciojë rastin, pra është bartësi i së drejtës. Në pretendimin për shkeljen e markës tregtare, bartës është ndërmarrja në emër të së cilës është lëshuar vendimi për regjistrimin e markës tregtare. Prandaj, me kusht që të ketë një regjistrim të markës tregtare, barra e provës përmbushet shumë lehtë. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që e njejta ndërmarrje është edhe bartës i të drejtës autoriale mbi atë logo. Rikujtojmë që në rastin e të drejtës së autorit nuk është i nevojshëm regjistrimi. Prandaj, çështja e provimit të pronësisë të të drejtës së autorit mund të ndërlikohet në rast se nuk ekziston një marrëveshje midis autorit dhe biznesit. Kjo për faktin se bartës i parë është gjithëmonë autori i cili ka krijuar logon (vlen edhe për patenta dhe dizajne industriale).

Për të shtyrë përpara pretendimin për shkeljen e të drejtës së autorit, ndërmarrja duhet të e provojë që është bartës i së drejtës së autorit sipas kontratës për bartje midis ndërmarrjes dhe autorit. Në mungesë të kontratës për bartje, ndërmarrja do të duhet të provojë se është bartës i së drejtës së autorit sipas ligjit, përkatësisht kjo logo është krijuar nga marrëdhënia e punës apo sipas kontratës mbi vepër. Nëse nuk arrin të provojë një marrëdhënie të tillë, atëherë nuk do të ketë sukses në pretendimet për shkelje të së drejtës së autorit.

Rasti më lartë paraqet më së miri rëndësinë e kontratave në përgjithësi dhe klauzolave të PI në veçanti për t’u siguruar që pronësia mbi një të drejtë të caktuar të PI është bartur tek ndërmarrja apo biznesi. Kështu, në mënyrë që ndërmarrja apo biznesi të jetë para së gjithash pronari i vetëm i cilësdo të drejte të PI të krijuar përgjatë veprimtarisë së biznesit, të njejtit duhet të sigurohen që marrëveshja midis themeluesve për krijimin e ndërmarrjes, pastaj marrëveshjet me kontraktuesit apo kontratat mbi vepër, mirëpo edhe kontratat e punës të përfshijnë klauzolën e transferimit apo bartjes së një të drejte të caktuar të PI-së tek ndërmarrja. Biznesi duhet të jetë pronari i vetëm i çdo PI dhe asnjë supozim i pronësisë nuk duhet të lejohet. Krijuesi i një vepre të caktuar, shpikësi ose dizajnuesi që nga fillimi i marrëdhënies kontraktuale, duhet të jenë të vetëdijshëm se e gjithë e drejta, titulli dhe interesat e një të drejte të caktuar të PI do t'i jepen vetëm kompanisë dhe jo personit i cili në të vërtetë krijoi atë PI.

Këto klauzola gjithashtu sigurojnë që në rast të largimit të themeluesit apo punonjësit të caktuar, çfarëdo PI e krijuar mbetet në pronësi të ndërmarrjes apo biznesit. Në mungesë të një klauzole të tillë, ligjet e aplikueshme përcaktojnë rregullat të cilat mund të rregullojnë një marrëdhënie të tillë. Mirëpo, dispozitat që e rregullojnë këtë raport janë shumë të kufizuara dhe, rrjedhimisht, përcaktimi me kohë i kritereve apo politikave të qarta nga bizneset në lidhje me pronësinë përmes marrëveshjeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

5. Shmangia nga përdorimi i paautorizuar i PI-së

Sa është e rëndësishme që një ndërmarrjë të identifikojë dhe mbrojë asetet që mund të jenë objekt i mbrotjes me të drejtat e PI po aq e rëndësishme është që ndërmarrja të sigurohet se me veprimet e caktuara nuk po shkel në territor të huaj. Pra, duhet të sigurohet se nuk po përdor pa autorizim të drejtat e PI-së që i përkasin një ndërmarrje tjetër. Me qëllim që të shmangni përdorimin e paautorizuar dhe pranimin e kërkesave për ndalim të shkeljes nga të tjerët, ndërmarrja duhet para së gjithash të sigurohet që të këshillohet me profesionistë të fushës në lidhje me pengesat që mund të ekzistojnë varësisht nga lloji i PI duke bërë një hulumtim paraprak të regjistrave apo edhe vetë tregut të caktuar. Në këtë mënyrë biznesi do te shmangte investimet e panevojshme të cilat mund të jenë të konsiderueshme kur kemi të bëjmë me mbrojtjen e të drejta të PI në vendet e interesit.

Bizneset duhet gjithashtu të jenë në dijeni se mungesa e njohurive nga ndërmarrja apo ndërmarrësi nuk e përjashton përgjegjësinë. Ndryshimet jo thelbësore apo minimaliste midis markave për shembull, nuk e shmangin përgjegjësinë. Gjithashtu, fakti që një vepër si p.sh. fotografi, video apo të ngjashme janë publikuar në internet apo janë lehtë e shkarkueshme nuk do të thotë që ndodhen në domenin publik dhe se mund të përdoren pa autorizim. Prandaj, ndërmarrësi duhet të sigurohet që në veprimtarinë e tij të biznesit të përdor vetëm me përmbajtje të autorizuar.

Për të përmbledhur, mbrojtja adekuate e PI të një kompanie është një hap vendimtar në parandalimin e shkeljes së mundshme dhe në kthimin e ideve në pasuri biznesi me një vlerë të caktuar. Shfrytëzimi i plotë i sistemit të PI-së u mundëson ndërmarrjeve të përfitojnë nga kreativiteti i tyre inovativ, i cili inkurajon dhe ndihmon në financimin e risive të mëtejshme. Prandaj, është shumë me rëndësi që të gjithë ndërmarrësit ta konsiderojnë mbrojtjen e të drejtave nga PI si investim dhe jo shpenzim dhe, rrjedhimisht të planifikojnë mbrojtjen e këtyre të drejtave që nga hapat e parë të veprimtarisë dhe sigurisht të i paraprijnë shkeljeve apo përdorimeve të paautorizuara nga të tjerët.

Published : December 2021

Download
IPLegals

Kujtesa Nezaj

IPLegals

+383 44 434 053

info@ip-legals.com

Rr. Shefqet Shkupi, Kompleksi Prishtina Stars, Blloku B, Nr. 7, 10000 Prishtine, Kosovo

Get in touch
An email is required.
Email is not valid.