Arti i rrugës dhe e drejta e autorit

Këtë vit Kosova ka qenë pritëse e një numër aktivitetesh të ndryshme kulturore e sportive siç ishin Manifesta, Dokufest, Meeting of Styles dhe festivale të tjera të shumta. Të gjitha këto aktivitete kishin diçka të përbashkët - krijimtarinë intelektuale të krijuesve pjesëmarrës në këto ngjarje. Meeting of styles, për shembull, këtë vit solli në Prishtinë një numër artistësh të cilët përmes artit të muraleve apo artit të rrugës ndryshuan Rrugën B në Prishtinë. Një sërë aktivitetesh të artit të rrugës po ndërmirren në vazhdimësi edhe në një qytet tjetër të Kosovës, përkatësisht Ferizaj, ku komuniteti i MuralFest Kosova ka bërë një punë të jashtëzakonshme me artin e rrugës në këtë qytet.

Raporti midis të drejtave të autorit dhe artit të rrugës është mjaft kompleks dhe trajtohet ndryshe në vende të ndryshme. Kjo për faktin se disa palë mund të konsiderohen si palë të interesit kur kemi të bëjmë me muralet. Kështu, në rradhë të parë është artisti apo muralisti, i cili krijon muralin dhe në parim konsiderohet autor dhe bartës i të drejtës së autorit në atë mural. Pastaj, është pronari i murit apo ndërtesës ku vendoset apo paraqitet murali dhe që konsiderohet si pronar apo posedues në atë që njihet si “kopje e veprës” psh pjesën e murit ku është e vendosur murali. Në disa raste, pronari i murit është edhe porositës i veprës meqë artisti angazhohet për krijimin e muralit përmes kontratës për vepër nga pronari i murit dhe, rrjedhimisht, mund të jetë edhe bartës i së drejtës së autorit. Ndërsa, në grupin e tretë të palëve të interesuara bëjnë pjesë personat të cilët mund të e përdorin muralin e caktuar në formë të modifikuar për shembull përmes fotografive, videoinçizimeve të këngëve apo filmave, pastaj paraqitja e muraleve nëper libra apo veshje dhe të tjera përdorime për qëllime komerciale.

Për të sqaruar këtë raport kompleks, ky artikull do të shqyrtoj në mënyrë të përmbledhur disa çështje me rëndësi siç janë autorësia dhe pronësia, të drejtat pasurore dhe kufizimet ligjore, kalimi i mëtejmë i të drejtave, si dhe të drejtat morale të artistit të muralit. Ky artikull nuk i trajton këto çështje në raport me artin e rrugës që krijohet në mënyrë jo të ligjshme, në kuptimin që mungon leja apo pëlqimi i pronarit të ndërtesës ku vendoset arti.

Autorësia dhe pronësia

Ligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta përcakton se autor është personi fizik i cili e ka krijuar veprën . Pra, ne parim, personi fizik apo artisti i cili e ka krijuar muralin është autor dhe bartës i parë apo pronar i të drejtës së autorit. Për dallim nga të drejtat e pronësisë industriale të cilat për të gëzuar mbrojtje sipas ligjeve të aplikueshme duhet të e ndjekin procedurën e përcaktuar administrative për regjistrimin e këtyre të drejtave; për të gëzuar mbrojtjen e të drejtës së autorit në anën tjetër, nuk kërkohet plotësim paraprak i çfarëdo formaliteti administrativ . I vetmi kusht që kërkohet të plotësohet është kriteri i origjinalitetit . Mjafton që një vepër të jetë origjinale, dhe autori gëzon të drejtat e përcaktuara me me vetë faktin e krijimit të asaj vepre psh muralit

Mirëpo, shumë nga këto murale krijohen nga artistët të cilët angazhohen nga shoqata apo kompani të ndryshme ose angazhohen përmes ndonjë konkursi publik nga organi kompetent lokal apo edhe Ministria e Kulturës. Në raste të caktuara mund të ketë edhe më shumë porositës apo mbështetës të ndryshëm për krijimin e një murali të caktuar. Edhe në një rast të tillë kur murali është krijuar përmes angazhimit, autor i muralit konsiderohet artisti i cili ka krijuar muralin. Kjo për faktin se Ligji njeh si autor vetëm personin fizik. Mirëpo, përmes kontratës për veprën, autori mund të i bartë të drejtat e caktuara ekonomike/pasurore tek porositësi i veprës dhe, në këtë rast, bartës i të drejtës së autorit do të konsiderohej porositësi i muralit. Në mungesë të një kontrate të tillë, sipas Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, porositësi gëzon vetëm të drejtën e publikimit dhe të shpërndarjes së veprës, ndërsa autori ruan të drejtat tjera . Të njejtat rregulla zbatohen mutatis mutandis edhe ndaj veprës që autori e ka krijuar si fitues i konkursit publik. Rrjedhimisht, përveç nëse porositësi dhe artisti kanë kontratë të lidhur midis tyre si dhe kjo kontratë përmban dispozita të veçanta për bartjen e të drejtave të caktuara nga artisti tek porositësi, ky i fundit sipas ligjit do të gëzoj vetëm të drejtën e publikimit dhe të shpërndarjes së veprës.

Në anën tjetër, kemi edhe pronarin e “kopjes së veprës” dhe që është pronari i ndërtesës apo murit ku është i vendosur murali dhe që në të shumtën e herave është edhe porositës i veprës. Për dallim nga pikturat të cilat janë të paraqitura ose në kanvans ose në letër, murali paraqitet në një pjesë të murit apo në ndonjë hapësirë tjetër. Pronari i murit apo ndërtesës ku është krijuar murali mund të posedoj me këtë “kopje të veprës” në mënyrën se si ai e konsideron të arsyeshme. Kjo meqë e drejta e autorit është e pavarur nga e drejta e pronësisë mbi sendin ku është përfshirë vepra e autorit

Të drejtat dhe kufizimet

Me krijimin e muralit, artisti si autor dhe bartës i parë i të drejtës së autorit gëzon dy lloj të drejtash: të drejtat ekonomike apo pasurore dhe të drejtat morale. Ne grupin e të drejtave pasurore hyjnë për shembull e drejta e riprodhimit, e drejta e shpërndarjes, pastaj shfrytëzimi i veprës në formën e modifikuar etj. Ndërsa, në grupin e të drejtave morale hyjnë për shembull e drejta e njohjes së autorësisë, e drejta në integritet të veprës dhe të drejta të tjera të cilat mund të jenë më pak relevante në rastin e muraleve . Të drejtat ekonomike mund të barten apo kalohen tek persona të tjerë ; ndërsa, të drejtat morale nuk mund të barten . Ato mbesin me autorin përgjatë tërë vlefshmërisë së tyre edhe në rastet kur pronësia në lidhje me të drejtat ekonomike mund të jetë bartur tek dikush tjetër.

Sipas nenit 53 të Ligjit për të drejtat e autorit, veprat e vendosura në hapësira publike dhe në vende të tjera ku është lejuar qasja e përgjithshme publike shfrytëzohen lirshëm. Kjo dispozitë është jashtëzakonisht e gjerë dhe në fakt përfshin përveç veprave tri-dimensionale siç janë për shembull veprat e arkitekturës edhe veprat dy-dimensionale siç është rasti me muralet. Pastaj, sipas këtij definimi, të përjashtuara nga leja janë edhe veprat të cilat ndodhen në vende të tjera ku është e lejuar qasja e përgjithshme publike dhe që nënkupton muzetë apo vende kulturore të ngjajshme. Kjo nënkupton se krijimi i veprave derivative nga këto vepra të vendosura në hapësira publike siç është fotografimi i muraleve, në parim, nuk përbën shkelje të të drejtës së autorit. Pra, vetë fotografimi nuk përbën shkelje të të drejtës së autorit nëse bëhet pa lejen e bartësit të së drejtës.

Megjithëkëtë, mënyra se si përdoret tutje kjo fotografi mund të përbëj shkelje të të drejtës së autorit. Kjo për faktin se shfrytëzimi i veprave të vendosura në hapësira publike nuk është i lejueshëm të bëhet në formë tredimensionale ose për qëllim të njejtë si vepra burimore, e as për interes komercial të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë. Kjo nënkupton se liria e panoramës sipas legjislacionit të aplikueshën në Kosovë është e kufizuar vetëm në rastet kur për shembull fotografia e bërë e një murali të vendosur në hapësirën publike përdoret për qëllime personale. Përveç këtyre rasteve, përdoruesi duhet të marrë pëlqimin e bartësit të së drejtës, për shembull, për të krijuar vepra derivative dhe për t'i shfrytëzuar ato për qëllime komerciale. Në rastin konkret, nëse fotografia e një murali do të përdoret nga një biznes si logo apo markë tregtare e tij për produktet ose shërbimet që i ofron, atëherë për një përdorim të tillë, shfrytëzuesi duhet të marr leje nga bartësi i së drejtës.

Kalimi i mëtejmë i të drejtave

Marrja e pëlqimit të përdorimit të muralit në formën e modifikuar psh si fotografi, në anën tjetër, shpesh herë përbën një sfidë në vete. Kjo për faktin se në të shumtën e rasteve, pikërisht për shkak se shumë palë janë të përfshira në krijimin e një murali, pronësia nuk është e qartë. Autori i një muralit mund të dihet qoftë përmes emrit apo pseudonimit të vendosur në mural; mirëpo, jo domosdoshmërisht eshtë i njohur edhe bartësi i së drejtës. Pra, një palë e tretë e ka të vështirë të e identifikoj se kush është bartës i së drejtës së autorit në një mural prej të cilit edhe duhet të e marr të drejtën e riprodhimit të muralit në formën e modifikuar.

Në anën tjetër, edhe në rast se bartësi i së drejtës do të ishte lehtë i identifikueshëm, jo domosdoshmërisht mjafton vetëm pëlqimi apo leja e bartësit. Kjo për faktin se sipas Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, personi që me anë të kalimit ka fituar të drejtën pasurore ose një të drejtë tjetër të autorit nuk mundet pa leje të autorit të bëjë kalim të mëtejmë të të drejtave të tilla në një person të tretë, përveç nëse me kontratë është paraparë një gjë e tillë.

Prandaj, një problem i tillë nuk do të ekzistonte në rast se do të kishim një kontratë për porosinë midis porositësit të veprës dhe autorit apo muralistit si dhe kjo kontratë, në shtesë të klauzolës për bartje të së drejtës, të përfshinte edhe dispozita përmes së cilave autori do të lejonte kalimin e mëtejmë të të drejtave tek palët e treta.

Të drejtat morale dhe muralet

Përveç të drejtave pasurore, Ligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta përcakton edhe të drejtat morale të autorit, të cilat sikurse u përmend më lartë, janë të pa transferueshme. Kjo nënkupton që, ndër të tjera, autori mban të drejtën ekskluzive ta kundërshtojë çfardo deformimi, apo intervenimi tjetër në veprën e tij, si dhe çfarëdo shfrytëzimi të veprës së tij, nëse një ndërhyrje e tillë do të mund të paragjykonte reputacionin e tij kreativ dhe respektin.

E drejta në integritet të veprës në rastin e muraleve është jashtëzakonisht komplekse dhe e ndjeshme për vetë faktin se në parim, e drejta e autorit është e pavarur nga e drejta e pronësisë mbi sendin ku është përfshirë vepra e autorit . Në rastin e muraleve, vepra është e vendosur në ndonjë mur, ndërtesë apo çfarëdo objekti tjetër e cila rrallë herë është në pronësi të autorit. Në një rast të tillë, mund të ndodh që në një kohë të caktuar në mural të intervenohet nga pronari i objektit. Nëse një intervenim i tillë është bërë pa pëlqimin e artistit, atëherë mund të krijohen rrethana të shkeljes së të drejtës morale në integritet të veprës nga pronari i ndërtesës edhe në ato raste kur pronari i murit është edhe bartës i së drejtës së autorit.

Mirëpo, që një intervenim i tillë të konsiderohet shkelje e të drejtës morale të autorit, ai intervenim duhet të paragjykojë reputacionin kreativ dhe respektin e autorit. Pra, jo çdo intervenim në mural do të mund të konsiderohet si shkelje e kësaj të drejte. Se çfarë konsiderohet shkelje e kësaj të drejte, praktika gjyqësore është shumë e mangët. Nuk ka ndonjë aktgjykim të raportuar i cili do të mund të jepte shembuj të shkeljes së kësaj të drejte. Rastet si prishja në tërësi e muralit apo zëvendësimi i muralit me mural të një artisti tjetër janë dy nga shumë situatat në të cilat praktika gjyqësore e shumë vendeve ka konsideruar së ka qenë e nevojshme leja apo pëlqimi i artistit.

Përkundër që praktika gjyqësore në Kosovë është e mangët në këtë çështje - të paktën nuk ka aktgjykime të raportuara - kjo nuk do të thotë që shkelje të të drejtave morale të artistëve apo përdorime të paautorizuara të muraleve në forma të ndryshme nuk ndodhin. Ajo çka është me rëndësi të theksohet si përfundim është fakti që një raport aq kompleks sa ky midis artistit, bartësit dhe pronarit të “kopjes së veprës” në rastin e muraleve rekomandohet të rregullohet detajisht me kontratë. Në mungesë të një kontrate të tillë, të gjithë palët e përfshira duhet të jenë në dijeni për të drejtat dhe detyrimet e palëve të tjera sipas ligjit të aplikueshëm në mënyrë që të shmangen situatat e shkeljes të të drejtave të autorit si ekonomike ashtu edhe morale.

Published : April 2023

Download
IPLegals

Kujtesa Nezaj

IPLegals

+383 44 434 053

info@ip-legals.com

Rr. Shefqet Shkupi, Kompleksi Prishtina Stars, Blloku B, Nr. 7, 10000 Prishtine, Kosovo

Get in touch
An email is required.
Email is not valid.